Risku
Për të kuptuar pak më mirë, se çfarë është ky shërbim që ne ofrojmë, po ju tregojmë se cfarë nënkuptojmë me risk në vendin e punës.
Vlerësimi i Riskut është bërë një mjet kyç për menaxhimin e sigurisë dhe shëndetit në punë. Të kuptuarit e dikurshëm për organizimin e sigurisë në punë dhe masat shëndetësore ka qenë për shumë vite i bazuar thjesht në parimin e respektimit të rregullave ligjore. Edhe pse larmishmëria e veprimtarive të punës, specifikat e secilit vend pune si dhe të gjitha aspektet e punës nuk mund të mbulohen dhe rregullohen tërësisht nga dispozitat ligjore, gjithsesi ato do të kuptohen në mënyrë të zgjeruar. Nga ana tjetër, qasja e bazuar në zbulimin e asaj që tashmë ka shkuar keq, që nuk është në përputhje me rregullat ligjore, nuk është në gjendje të parashikojë se çfarë mund të ndodhë, dhe të parandalojë krijimin e mangësive.
Metodat e vlerësimit të riskut na japin mundësinë të identifikojmë të gjitha objektet specifike të cilat mund të dëmtojnë personat dhe mund të shkaktojnë pasoja të padëshirueshme; ato na japin mundësinë të vlerësojmë seriozitetin e një ngjarjeje të tillë të mundshme si dhe të identifikojmë zgjidhjet më të përshtatshme për mbrojtjen kundër këtyre lloj pasojave. Parandalimi është parimi udhëheqës i procesit të Vlerësimit të Riskut.
Por Vlerësimi i Riskut do të thotë më shumë se thjesht një procedurë. Vlerësimi i Riskut është një filozofi e menaxhimit të sigurisë dhe shëndetit në punë; ai është një mënyrë e të sjellurit së punonjësve; është një mënyrë e mbrojtjes së tyre.
Çfarë kërkon në të vërtetë legjislacioni?
-
Të vlerësohen risqet dhe të merren masa mbrojtëse
Punëdhënësi kryen një Vlerësim të Riskut lidhur me risqet për SSHP, përfshirë ato me të cilat përballen grupet e punëmarrësve të ekspozuar ndaj risqeve të veçanta; ai gjithashtu vendos për masat mbrojtëse që duhen marrë. (Neni 9/1 i Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë).
-
Të përgatitet një plan i masave parandaluese dhe mbrojtëse
Punëdhënësi është i detyruar të hartojë një plan për parandalimin dhe mbrojtjen, që përbëhet nga masa teknike, mjekësore, organizative dhe higjieno-sanitare, për llogari të Vlerësimit të Riskut, që ata duhet të zbatojnë në bazë të kushteve të punës që janë specifike për ndërmarrjen e tyre (Neni 10/b i Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë).
-
Të informohen punëmarrësit mbi rezultatet e Vlerësimit të Riskut
Punëdhënësi informon punëmarrësit dhe përfaqësuesit e tyre për çdo risk në vendin e punës, dhe për masat mbrojtëse që duhet të merren për t’i kontrolluar këto risqe dhe për eliminimin e pasojave të tyre të dëmshme. Informacioni mbi rezultatet e Vlerësimit të Riskut dhe masat e marra i vihet në dispozicion punëmarrësve... (Neni 12/1 i Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë).
-
Punëmarrësit dhe përfaqësuesit e tyre të përfshihen në Vlerësimin e Riskut
Përfaqësuesit e punonjësve për SSHP marrin pjesë gjatë përgatitjes së Vlerësimit të Riskut dhe planifikimit të masave parandaluese, si dhe dokumenteve të tjera që lidhen me SSHP. (Neni 18 i Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë) Këshilli i Sigurisë dhe Shëndetit ka kompetencë të marrë pjesë në vlerësim, të hartojë dhe zbatojë programe për parandalimin e riskut në ndërmarrje; (Neni 20 i Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë).
-
Të ndiqen parimet e mëposhtme të parandalimit
- shmangia e risqeve
- vlerësimi i risqeve që nuk mund të shmangen
- luftimi i risqeve në burim
- zëvendësimi i të rrezikshmes me të parrezikshmen ose më pak të rrezikshmen
- dhënia prioritet masave mbrojtëse kolektive në raport me masat mbrojtëse individuale
- dhënia e udhëzimeve të përshtatshme për punonjësit
(Neni 6/3 i Ligjit për Sigurinë dhe Shëndetin në Punë)

Kontakto